SITUATE DESHPERUESE/ “Na lënë vetëm me rrobat që kishim mbi trup” – Banorët e Gramshit: Si mundet që pas gjithë kësaj, askush të mos kujdeset për ne? 

Situata në Gramsh vijon të jetë alarmante, pas shpërthimit të një zjarri të fuqishëm që ka përfshirë fshatrat kryesore të zonës. Banorët të trishtuar shprehen se kanë punuar një jetë të tërë dhe çdo gjë u shkrumbua. Banorët gjithashtu shprehen se pjesë e madhe e pasurisë është shkatërruar, duke përfshirë shtëpitë dhe kafshët. 

“Situata është shumë e keqe, kemi lënë gjithçka pas, duke përfshirë shtëpitë, bagëtitë, pasurinë që kemi grumbulluar gjithë jetën. Jemi këtu pa asgjë, vetëm me rrobat që kemi mbi trup,” shprehet një prej banorëve. 

Gjithashtu banorët shprehen se nuk u dha asnjë ndihmë për të fikur zjarret. Ata thonë se edhe një avion që ka arritur në zonë nuk ka mundur të bëjë asgjë për ta.

 “Na morën dhe na sollën këtu, por nuk dimë se çfarë do të bëjmë. Dëmet janë të mëdha, kemi humbur gjithçka dhe askush nuk po na jep ndihmë të mjaftueshme. A i dhamë ne votat atij? Po, po, por tani ku është ai? Çfarë po bën për ne?” tha një tjetër banor.

Në këtë situatë tragjike, banorët kërkojnë një përgjigje të menjëhershme dhe ndihmën e shtetit për të riparuar dëmet dhe për të mbështetur ata që kanë humbur gjithçka.

“Na erdhi flaka në këmbë, dhe nuk na lanë asgjë, përveç se shkatërrimin e gjithçkaje. Si mundet që pas gjithë kësaj, askush të mos kujdeset për ne? A i dhamë votat për të qenë të lënë në harresë?” thekson një tjetër.