TAKIMI HISTORIK/ Trump përpara kontaktit me Putin në Alaskë do ketë komunikim me Zelenskyn dhe Liderët evropianë

Liderët evropianë dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të zhvillojnë një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump të mërkurën, përpara takimit të tij të paralajmëruar me presidentin rus Vladimir Putin, që do të mbahet të premten në Alaskë. Lajmin e ka bërë të ditur qeveria gjermane.

Në bisedë do të marrë pjesë edhe nënpresidenti amerikan J.D. Vance, sipas zëdhënësit kryesor të kancelarit gjerman Friedrich Merz, Stefan Cornelius. Sipas agjencisë Bloomberg, telefonata është planifikuar të zhvillohet në orën 15:00 me orën e Berlinit.

Takimi mes Trump dhe Putinit pritet të fokusohet në mundësinë e një marrëveshjeje paqeje për luftën në Ukrainë, ndërkohë që Kremlini po vendos kushte të ashpra: presidenti rus Vladimir Putin kërkon që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit, si dhe Krimenë, gadishullin që Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014 – si parakusht për nisjen e negociatave për paqe të përhershme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të dorëzojë territor për të përfunduar luftën, ndërsa liderët evropianë vazhdojnë të theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.