Reporterët pa Kufij ka reaguar lidhur me rrethimin e News24 nga policia dhe ndërprerjen e transmetimit të medias në fjalë.
Në reagimin e tyre thuhet se dënojnë pengimin e të drejtës për të informuar. Gjithashtu shprehen se kjo duhet të marrë fund tani në mënyrë që transmetimi mediatik të mund të fillojë përsëri.
REAGIMI I PLOTË:
Në kontekstin e një mosmarrëveshjeje pronësore që përfshin një kompani shtetërore, policia ka ndërprerë energjinë elektrike në ambientet e Focus Media Group dhe i ka penguar gazetarët e saj të hyjnë në to.
RSF dënon këtë pengim të së drejtës për të informuar, e cila duhet të marrë fund tani në mënyrë që transmetimi të mund të rifillojë.
Ndërhyrja e Policisë së Shtetit brenda News24 që në orët e mëngjesit solli ndërprerjen e sinjalit të transmetimit dhe ndalimin e gazetarëve të futen brenda në ambientet e punës. Policia kërkoi lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë e televizionit News24 dhe mediave të tjera vizive dhe të shkruara Balkanweb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.









