Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e organizuar sot në Kosovë kundër Gjykatës Speciale, me moton “kundër padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” Rama ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për mos reagimin ndaj padrejtësisë që po i bëhet Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Tribunalin e Hagës.
Rama sugjeroi se Kuvendi i Kosovës duhet të kishte miratuar një rezolutë që dënonte veprimet e Tribunalit të Hagës dhe më pas i njëjti tekst do të ishte votuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Më tej thekson Rama, kjo rezolutë do i ishte shpërndarë në çdo vend që e sponsorizon Tribunalin dhe nuk do t’ia toleronte këto shkelje.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, në të cilën të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!
Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet. Po, Liria ka emër dhe nuk është fajtore”, shkruan Rama.









