Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq ish-presidentin e Urdhrit të Stomatologut, Nikoll Deda ( i cili u arrestua më 14 Qershor) dhe zv.presidenten me iniciale A.G., të cilët akuzohen për ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’.
Sipas organit të akuzës, denoncimi ndaj Nikoll Dedës është bërë nga shtetati me iniciale A.G., se ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit për përfitime personale.
Nikoll Deda në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve, sipas Prokurorisë, lejoi punësimin pa kriter të familjarëve të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Pavarësisht se u mor i pandehur, ai akuzohet se ndërmori veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, Nikoll Deda ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhërit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.









