VIDEO-LAJM/ Tritoli për borxhe në lokalin në Rrugën e Durrësit – policia zbardh ngjarjen; vihet në pranga autori – ja momenti i vendosjes

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 18 korrik ku u vendos lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, duke vënë në pranga 46-vjeçarin Hysni Lila. A2 CNN mëson Hysni Lila është pronari i motomjetit që ka përdorur autori i dyshuar në vendosjen e tritolit te rruga e Durrësit.

Përpara hetuesve ai nuk ka pranuar që të tregojë emrin e autorit të dyshuar. Sipas tij motorin e ka shitur ndërsa në një tjetër dëshmi ka thënë që e ka dhënë në përdorim tek një person tjetër.

A2 CNN raporton se pista kryesore e policisë janë borxhet. Pronari i lokalit i kishte borxhe tek personat e tjerë rreth 50 mijë euro, çka sipas policisë mos shlyerja e borxheve dyshohet si shkak për vendosjen e tritolit.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Veprime instensive hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ku u vendos një sasi me lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, me datë 18.07.2025.

Identitikohet, kapet, dhe vihet në pranga, një 46-vjeçar, i cili dyshohet se është një autorët e përfshirë në ngjarje. Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Në vijim të punës intensive hetimore me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 18.07.2025 ku u vendos një sasi me lëndë plasëse në një lokal në Rrugën e Durrësit, është bërë e mundur identifikimi, kapja e ndalimi i shtetasit H. L., 46 vjeç, banues në Lushnje.

Nga hetimet ka rezultuar se motomjeti që u përdor për vendosjen e lëndës plasëse ishte në pronësi të 46-vjeçarit, i cili dyshohet se ia ka dhënë për përdorim autorit të ngjarjes.

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në ngjarje me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.