Shtatë kandidatët e kualifikuar për postin e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku po zhvillojnë intervistat me gojë përballë komisionit përzgjedhës. Seanca dëgjimore po monitorohet edhe nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Në vijim të procedurës së përzgjedhjes, të enjten dhe të premten kandidatët iu nënshtruan testit të poligrafit në ambientet e Akademisë së Policisë. Gjatë testimit, të njohur si “testi i së vërtetës”, u bënë pyetje provokuese, ndërsa specialistët vlerësuan reagimet fiziologjike si ritmin e pulsit dhe djersitjen. Njëri prej specialistëve të poligrafit mësohet se është sjellë posaçërisht nga jashtë vendit për këtë proces përzgjedhës.
Kandidatët që garojnë për drejtimin e një prej strukturave më të rëndësishme të hetimit në vend janë:
- Andi Pogaçe
- Artur Beu
- Elton Kërluku
- Gentian Ndoi
- Gentjan Shehaj
- Gledis Nano
- Joni Keta
Procesi i përzgjedhjes pritet të kulmojë me shpalljen e emrit fitues, i cili do të pasojë Aida Hajnon, drejtuesien aktual të BKH-së.









