Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin ukrainas V. T., 38 vjeç, në lidhje me aksidentin rrugor fatal që ndodhi dje në aksin Tepelenë-Krahës.
Ai po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”, ku u përfshinë dy automjete. Përplasja fatale la të vdekur një fëmijë 7-vjeçar, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. Shtetasit e tjerë të përfshirë, përfshirë prindërit e të miturit dhe drejtuesin ukrainas, pësuan dëmtime të lehta dhe po marrin trajtim mjekësor.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.









