Festë në “Loro Boriçi”. Vllaznia mposht me përmbysje 2-1 Vikingur Rejkajvik në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës.
Shkodranët e panë veten shumë shpejt në disavantazh. Pas një goditjeje këndi, Gunarson gjuajti me kokë dhe gjeti rrjetën në minutën e 10 të takimit.
Pjesa e parë u mbyll me fitoren minimale të islandezëve.
Në pjesën e dytë, ekipi i drejtuar nga Edi Martini përmbysi shifrat, duke kthyer gjithçka në favor të tyre. Fillimisht barazuan shifrat në minutën e 67. Pas një harkimi nga këndi të Malës, Bajrami mposhti me kokë portierin kundërshtar.
Në minutën e 75, erdhi edhe goli që i dha suksesin kuqebluve. Tjetër zbritje e shpejtë e shkodranëve, këtë herë me Malën i cili nga jashtë zonës gjeti gjuajtjen që dërgoi topin në rrjetë.
Vllaznia shkon në transfertën islandeze javën e ardhshme me moralin e lartë, pas fitores në “Loro Boriçi”, ku do të kërkojnë edhe kualifikimin për në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.









