Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot të prishë vendimin e dhënë më 11 mars 2025 për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes nga një trup tjetër gjykues.
Ky vendim u shpall nga trupi gjykues i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça dhe Tereza Merkaj.
Bllako, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas deputet i PS, u dënua nga GJKKO në mars të këtij viti me 4 vite burg, dënim që pas gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vite e 8 muaj.
SPAK kishte kërkuar dënimin me 5 vite burg, i konvertuar në 3.4 vite pas aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, për veprën penale të korrupsionit pasiv në dy episode të lidhura me inceneratorin e Tiranës.
Sipas akuzës, Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro për pajisjen e fabrikës së birrës së të atit, Edmond Bllako, si dhe një pagesë prej 7.5 milionë lekësh, të kamufluar si “këshilltar i jashtëm” i Lefter Kokës, por në fakt e lidhur me kompanitë e inceneratorëve të administruara nga biznesmeni në arrati Klodian Zoto. Për inceneratorin e Elbasanit, ai është dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg; ndërsa për inceneratorin e Fierit, çështja po ashtu u rikthye për rigjykim.









