VENDIMI/ Apeli lë në fuqi dënimin për “Rrumin e Shijakut” – ja sa vite burg dha GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që dënon Aleksandër Lahon e njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Laho është dënuar me 3 vite burg për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur me një të tretën dhe është caktuar në 2 vite burgim.

Laho, i cili ndodhet në kërkim prej disa vitesh, u shpall fajtor nga gjykata përfshirë edhe pjesëmarrjen në këtë vepër penale në bashkëpunim.

Vendimi u shpall më 23 korrik 2025 nga trupa gjykues e përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese) dhe anëtarët Dhimitër Lara dhe Engert Pëllumbi.

Njoftimi i plotë i Gjykates e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar),  më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit A.L. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit A.L. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.

U shpall në Tiranë, më 23.07.2025”, thuhet në njoftim.