Policia e Korçës ka arrestuar 4 veterinerë dhe ka shpallur në kërkim një 39-vjeçar, të dyshuar për kontrabandë bagëtish.
39-vjeçari i shpallur në kërkim dyshohet se ka kontrabanduar nga Greqia 100 bagëti të imëta dhe 20 gjedhë.
Më pas në bashkëpunim me veterinerët e arrestuar i kanë matrikulluar me matrikullar e marrë nga zyra e veterinarisë në Devoll.
Gjithashtu janë proceduar penalisht 3 shtetas që mbanin në stallat e tyre bagëtitë e kontrabanduara.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Matrikulli”.
Matrikulluan 120 bagëti të imëta dhe gjedhë, të kontrabanduara, arrestohen në flagrancë 4 veterinerë.
Shpallet në kërkim 39-vjeçari që dyshohet se ka kontrabanduar bagëtitë dhe gjedhët, nga Greqia.
Procedohen penalisht 3 shtetas që mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët.
Të gjitha këto veprime janë kryer në shkelje të urdhrit të ministrit së Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Matrikulli”, si rezultat i të cilit:
-u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit B. M., 64 vjeç, banues në Durrës, K. A., 57 vjeç, banues në Korçë, dhe D. K., 64 vjeç, banues në Maliq, punonjës (veterinerë) të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi E. L., 39 vjeç, banues në Devoll, punonjës (veteriner) i Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll;
-u shpall në kërkim shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për veprat penale “Kondrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kondrabandë”, “Tregtimi apo transportimi i mallrave kondrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
– u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M., 40 vjeç, banues në fshatin Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht, dhe R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi i shpallur në kërkim G. M., ka kontrabanduar nga Greqia, 100 bagëti të imta dhe 20 gjedhë. Më pas, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar (veterinerët) i kanë matrikulluar bagëtitë dhe gjedhët, me matrikullat që kanë marrë nga zyra e veterinarisë në Devoll. 3 shtetasit e proceduar dyshohet se kanë mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët e kontrabanduara nga 39-vjeçari.









