KERKESA/ Tom Doshi djeg mandatet e listës së mbyllur, nipi i Inva Mulës i merr karrigen në Kuvend

Kryetari i PSD-së, Tom Doshi ka vendosur të heqë dorë nga mandatet në listat e mbyllura. Këtë të mërkurë, më 23 korrik, partia e drejtuar nga Doshi ka bërë kërkesë në KQZ për të shpërndarë të gjitha mandatet e fituara nga listat e mbyllura, duke i kaluar tek listat e hapura.

Kështu, me kërkesë të PSD-së, mandatin e tij në Tiranë, do ta marrë kandidati më i votuar i listës së hapur nga kjo forcë politike, Tedi Mula, nipi i Avni dhe Inva Mulës.

Gjithmonë nëse KQZ e konfirmon kërkesën e tij. Mula mori 2 mijë e 500 vota në zgjedhjet e 11 Majit.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ndërkohë ka ndarë sot 37 mandatet e qarkut Tiranë.

19 mandate janë për PS, 13 për PD, 2 për Mundësia, 1 për PSD , 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.

Pas kësaj nisi diskutimi mbi mandatin e vetëm të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet.

Së bashku me përfaqësuesen ligjore të Shqipëria Bëhet, në KQZ është edhe kandidatja e listës së mbyllur Kleana Xhuveli, e renditur e katërta, e cila ka revokuar dorëheqjen dhe ka kërkuar të marrë mandatin.

Kleana Xhuveli është kushërira e parë (vajza e tezes) së Adriatik Lapajt.