Një 37 vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi në bashkëpunim me një kolegen e tij, kanë vjedhur në biznesin ku punonin rreth 400 mijë euro përmes mashtrimit.
Sipas policisë, në pranga ka rënë Erlin Shkoza, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasja me iniciale A. S., 30 vjeçe.
Erlin Shkoza me detyrë shpërndarës i porosive në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe, së bashku me të renë, me detyrë financiere, vodhën 409 000 euro nga subjekti ku ishin të punësuar nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve.
“Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për 6 muaj, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin policor të koduar “Doublefront”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për shtetasin Erlin Shkoza, 37 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasja A. S., 30 vjeçe.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S. (me detyra respektive shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga ky subjekt, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 000 euro.
Punohet për kapjen e shtetases A. S. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.









