Armata e futbollistëve shqiptare në futbollin turk sa vjen e shtohet.
I radhës që ka firmosur në këtë kampionat është mesfushori, Qazim Laçi. Futbollisti i kombëtares shqiptare ka zbarkuar te Rizespori, ku pas testeve mjekësore ka takuar edhe shokët e skuadrës, duke nisur menjëherë përgatitjet për sezonin e ri.
Sipas mediave çeke, transferimi i tij te Rizespori ka kushtuar 800 mijë euro. Laçi ka firmosur për 3 sezone në Turqi për të hedhur pas krahëve eksperiencën 3-vjeçare te Sparta e Pragës.

Në Çeki, mesfushori arriti të fitonte kampionatin dhe Kupën, ndërsa është shndërruar në një pikë kyçe për trajnerin Silvinjo te kombëtarja shqiptare.
Laçi konsiderohet një futbollist tepër cilësor dhe luftarak në fushë, që luajti 113 ndeshje zyrtare për Spartën, duke shënuar 6 gola dhe duke dhënë 18 asiste. Tashmë fillon një kapitull të ri në Turqi, kampionat ku aktivizohen edhe futbollistët e tjerë të kombëtares, si Taulant Seferi, Arlind Ajeti, Arbnor Muja dhe Rei Manaj.









