Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së diasporës në sistemin akademik shqiptar, duke theksuar se universitetet duhet ta vendosin këtë si një objektiv konkret.
Në një deklaratë gjatë një aktiviteti për arsimin e lartë këtë të hënë, Rama u ndal te nevoja për një qasje të re në menaxhimin dhe zhvillimin e universiteteve shqiptare.
“Duhet të bëjmë pjesë të universiteteve tona emra nga diaspora, njerëz që po shkëlqejnë në universitetet më të mira të botës. Kjo është një domosdoshmëri. Universitetet duhet ta kenë këtë si një target, të kërkojnë dhe të përfshijnë kapacitete të tilla në stafin e tyre akademik.”- tha Rama.
Ai shtoi se problematika e numrit të lartë të pedagogëve part-time në universitete është një çështje serioze që nuk mund të relativizohet.
“Pavarësisht se sa do të kushtojë për të pasur më shumë pedagogë me kohë të plotë, nuk mund të anashkalojmë faktin se 50% e stafit është part-time. Kjo është problem në vetvete dhe duhet adresuar.”-u shpreh kryeministri.
Duke iu referuar raportit të fundit mbi arsimin e lartë, Rama tha se rekomandimet që janë dhënë janë të gjitha të vërteta dhe duhet të shërbejnë si pika referimi për të ardhmen.
Ai kritikoi edhe numrin e lartë të universiteteve në vend, duke e krahasuar me shtete si Sllovenia dhe Anglia.
“Kemi më shumë universitete për metër katror se shumë vende europiane. Madje është bërë normë që në çdo fushatë zgjedhore të kërkohet hapja e një universiteti të ri. Kjo qasje duhet të marrë fund.”-theksoi ai.
Rama i bëri thirrje universiteteve që të shohin përpara dhe të kenë guximin për të rishikuar veten me sytë e kritikëve, jo vetëm nga brenda por edhe nga jashtë vendit.









