Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të hënë seanca për “Dosjen Partizani”, ku ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit fizikisht në sallë. Përmes një shkrese drejtuar gjykatës, Berisha bëri të ditur se do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës.
“Kam dijeni për seancën e së hënës dhe deklaroj se nuk do të paraqitem. Dua të përfaqësohem nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Do të paraqitem sa herë ta gjykoj të arsyeshme se duhet të jem i pranishëm,” thuhet në deklaratën e ish-kryeministrit.
Në nisje të seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, paraqiti një kërkesë paraprake për përjashtimin e trupës gjykuese.
“Gjyqtarët e GJKKO janë të monitoruar dhe vëzhguar nga SPAK dhe BKH. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur,” argumentoi Gjokutaj.
Në reagim, prokurori i SPAK, Arben Kraja, u shpreh shkurtimisht:
“Nuk dua të shprehem për kërkesën, por Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi.”
Pas debateve, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 15 shtator, ora 10:30.









