ARMEPUSHIMI/ “Gati të takoj Putinin” – Zelensky hedh hapin e madh drejt paqes; propozon bisedime me Rusinë javën e ardhshme!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të negociatave me Rusinë, duke propozuar një raund të ri bisedimesh javën që vjen.

Në një fjalim drejtuar kombit të shtunën, ai deklaroi se Sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, i ka bërë një ofertë zyrtare Moskës për të zhvilluar një takim javën e ardhshme.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë [Rustem] Umerov raportoi gjithashtu se kishte propozuar takimin e radhës me palën ruse për javën e ardhshme. Vrulli i negociatave duhet të përshpejtohet”, tha Zelenskyy,  duke theksuar nevojën për një takim në nivel liderësh dhe duke shprehur gatishmërinë për t’u ulur përballë me presidentin rus Vladimir Putin.

Negociatat e mëparshme, të mbajtura në Stamboll, përfunduan pa progres konkret për armëpushim, megjithëse sollën shkëmbime të mëdha të të burgosurve dhe marrëveshje për kthimin e trupave të ushtarëve të vrarë.

Në raundin e fundit të bisedimeve, Rusia paraqiti një listë kërkesash të ashpra, përfshirë dorëzimin e më shumë territori dhe heqjen dorë nga çdo mbështetje ushtarake perëndimore – kushte që Kievi i quajti “të papranueshme” dhe sinjalizuan bllokimin e procesit.

Nga ana e tij, Kremlini është shprehur i gatshëm të vijojë bisedimet, sidomos pas një presioni të ri nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka dhënë Rusisë një afat 50-ditor për të arritur një marrëveshje paqeje ose përndryshe do të përballet me sanksione të reja.

Ndërkohë, SHBA ka premtuar ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, të financuar nga aleatët e NATO-s, në një kohë kur qytetet ukrainase po përballen me sulme ajrore gjithnjë e më intensive nga Rusia. Vetëm të shtunën, sulmet ruse morën jetën e tre civilëve të tjerë.

Zelenskyy e ka bërë të qartë: pa një lëvizje të guximshme në nivel të lartë, paqja në Ukrainë mbetet një iluzion. Ndërkohë, koha po ikën dhe kufomat shtohen.