Një 52-vjeçar nga Kukësi ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit pasi u kap duke transportuar me furgon mallra kontrabandë për te tregu i shumicës në rrugën “5 Maji”.
Sipas policisë, Shkëlqim Xhahu u ndalua nga efektivët në rrugën “Bardhyl”, ndërsa vlera e veshjeve kryesisht sportive arrinte vlerën 40 mijë euro.
Nga pamjet e siguruara nga blutë shohim se 52-vjeçari i kishte vendosur veshjet në qese të mëdha të zeza dhe të mbylluara me ngjitës.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Silent Load”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. Xh., 52 vjeç, banues në Kukës.
Shërbimet e Policisë, në rrugën “Bardhyl”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues m 52-vjeçarin, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra (veshje sportive) të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë totale 40 000 euro.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas do t’i shiste veshjet në dyqane të ndryshme të një tregu të shumicës në rrugën “5 Maji”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi sot policia.









