Një restorant i ndërtuar në zemër të Thethit, u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme duke shkrumbuar plotësisht biznesin. Pronare e këtij restoranti është Aida Gjecaj, e cila në Theth ka ngritur një bujtinë, “Villa Gjecaj”, që fatmirësisht i shpëtoi flakëve.
Në një deklaratë për media ditën e djeshme, Aida sqaroi se ekspertët e kishin përjashtuar si mundësi ndezjen e flakëve nga një shkëndijë elektrike, duke ngritur kështu dyshimet se zjarri ishte iniciuar nga persona të tjerë. E gjitha kjo pistë u lidh përsëri me deklaratën e Gjecaj, e cila u shpreh se objekti i saj i ndërtimit nuk është pjesë e planit urbanistik të prishjes, siç po ndodh me pothuajse të gjitha bizneset në Theth përgjatë ditëve të fundit.
Aida Gjecaj ka reaguar përsëri, kësaj radhe në rrjete sociale, duke thënë se “një dorë e ligë vendosi të më godasë aty ku më dhemb më shumë”, ndërsa sqaron se ajo nuk ka asnjë lidhje me shembjet masive që IKMT po bën në zonë dhe se ajo e ka ngritur biznesin e saj me vite sakrifice.
Kujtojmë që ditën e djeshme gjithashtu u bë me dije se bashkëshorti i Aidës, Petrit Gjecaj është oficer policie pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ndërsa Aida ka qenë dhe një ndër të ftuarat e podkastit “Flasim”, krijuar dhe drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Në deklaratë, Aida sqaron se në episodin e këtij podkasti ka qenë e ftuar për gratë e përkushtuara në biznes dhe se në asnjë moment nuk ka folur për ndërtimet në Theth, duke u distancuar nga pretendimet se ajo është e “favorizuara” në mesin e banorëve të Thethit.

Reagimi i Aida Gjecajt:
DEKLARATË PUBLIKE – PËR TË VËRTETËN, THETHIN DHE MUNDIN TIM
Një dorë e ligë vendosi të më godasë aty ku më dhemb më shumë – duke djegur restorantin tim në zemër të Thethit. Aty ku unë dhe familja ime kemi ndërtuar me vite sakrifice një hapësirë mikpritjeje, një vatër nderi për traditën, natyrën dhe turizmin shqiptar.
Në të njëjtën kohë, disa zëra në media, të nxituar ose të painformuar, kanë zgjedhur të hedhin baltë mbi emrin tim, duke më lidhur padrejtësisht me aksionin e shembjes së ndërtimeve pa leje në Theth. Dua të jem shumë e qartë:
Unë kurrë nuk kam kërkuar shembjen e askujt.
E di sa e vështirë është të ndërtosh në këto male, e di çfarë do të thotë të ngresh një çati me mundin dhe djersën e familjes.
Unë kam lobuar e ngritur zerin gjithmone në media per hallet e komunitetit si mungesa energjisë elektrike, plehrat apo rruga e keqe.
Unë kam qenë gjithmonë për zhvillimin e qëndrueshëm, për ndërtimin me standard dhe për ruajtjen e identitetit arkitektonik e kulturor të Thethit – që ai të bëhet një Trentino i Shqipërisë, një destinacion model në Ballkan.
Emisioni i datës 8 Mars 2024, ku është përmendur emri im në mënyrë të pasaktë, ishte një podkast kushtuar grave në biznes. Aty nuk është përmendur asnjë fjalë për ndërtime në Theth. Është minimumi profesional që një analist ta dëgjojë emisionin për të cilin flet, përpara se të shpërndajë hamendësime.
Kam dhënë qindra intervista për mediat shqiptare ndër vite. Kam folur për mikpritjen, për zhvillimin, për turizmin, për femrën që ndërton në një fshat malor. Por kurrë nuk kam kërkuar të shembet mundi i tjetrit. Kam luftuar që të mos shkatërrohet ai i imi.
⸻
Falënderim nga zemra
Në këtë moment të vështirë, dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë – familjarë, miq, fqinj, turistë dhe bashkëpunëtorë që më kanë shkruar, më kanë telefonuar, më kanë dhënë kurajo dhe fjalë ngushëllimi. E keni bërë dhimbjen më të lehtë për ta përballuar.
Zjarri i dikujt tjetër nuk do të më ndalë. Përkundrazi – do të rindërtoj më bukur, më fort dhe më me dashuri, sepse Thethi nuk do njerëz që ndajnë, por duar që ndërtojnë bashkë.









