Të gjithë kryetarët e njësive administrative dhe drejtorët duhet të shkarkohen! Kjo ka qenë kërkesa e radhës e kryeministrit Edi Rama drejtuar të gjitha bashkive në vend gjatë një mbledhje me kryebashkiakët e Shqipërisë të mbledhur në qytetin e Durrësit.
Mbledhja e të gjithë kryebashkiakëve, të djathtë e të majtë, është organizuar nga qeveria me qëllim shtrimin në tryezë të problematikave të qytetarëve si dhe për të shpalosur planin e ri të masave në kuadër të mbrojtjes dhe lirimit të hapësirave publike.
Në fjalën e tij Rama dha ultimatum që kryetarët e njësive dhe drejtorët të jenë të shkarkuar deri ditën e hënë, ndërsa theksoi nevojën për t’i dhënë hapësirë gjeneratave të reja për tu angazhuar në politikë, gjithashtu dhe në strukturat drejtuese të një partie.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Përsa i përket kryetarëve të PS, të gjithë kryetarët e njësive duhet të shkarkohen, që të gjithë! Dhe t’iu jepet mundësia, por duhet ti jepet njëherë mundësia dhe të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata.
Ta zgjerojë hapësirën dhe për ata që nuk na njohin, por ama na kanë dhënë votën duke besuar që ne mund të bëjmë shumë më mirë. Dhe nga ana tjetër, Shqipërinë në BE, në 2030 nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime, mund të bëjmë gabime të reja. Dhe një nga gjërat kryesore është tu japim një mundësi të re njerëzve të kontribuojnë në këtë vend, dhe drejtorë e kryetarë njësish, nuk i fus të gjithë në një thes, por shumica dërrumese nuk kam nevojë të shoh se cfare bëjnë, se mjafton të shoh barin e keq që lulëzon në vendin e tyre se cfarë pune bëjnë.
Për shembull kryetari i njësisë që ka varrezat në Elbasan, duhet shkarkuar pa kthim. Duke qenë se këtu është dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, ajo që është bërë dje me shkarkimin e drejtorit të Shkodrës, Unë dua ta ritheksoj që është një mesazh për të gjithë, Asnjë drejtor qarku nuk mund të justifikohet se nuk dinte gjë. Nuk bëhet fjalë me një tavolinë me 4 karrige që ka dalë nga vija, por bëhet fjalë për 40 ndërtime pa leje. Policia e ka treguar që kur do, di të shkojë dhe në majën e një mali ku një fshatar po bën një avlli dhe t’i thotë që po bën një ndërtim pa leje.
Nëse një kryetar bashkie, do të dijë se cfarë do të ndërtohet në qytet, patjetër që e di. Shpresoj që ditën e hënë të gjithë kryetarët e njësive administrative të jenë të shkarkuar.









