Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha deklaroi sot se është bërë një analizë lidhur me punën dhe kërkesa e dorëheqjes ndaj drejtorëve në Vlorë vjen pasi kërkohet më e mira për qytetin.
Në një intervistë në A2CNN, Dredha u shpreh se ky është një hap që do të ndiqet për të parë sesi do të shkojë deri në fund, në respekt të ligjit.
“Ne bëjmë më të mirën për qytetin dhe kërkojmë më të mirën për qytetin nga gjithë ajo skuadër e madhe që ka Administrata e Bashkisë. Nëse thirrjet kanë qenë të shpeshta për të vendosur piketat, qoftë edhe pjesën organizative apo përditshmërinë e punës që bëjnë kushdo nga drejtuesit në Administratën e Bashkisë, normal që kemi bërë një analizë dhe shikojmë që ka gjëra që mund të bëhen shumë herë më mirë. Kjo nuk do të thotë që ne duam të djegim edhe të njomin me të thatin. Nuk është pushuar asnjëri nga puna, por është kërkuar një dorëheqje, edhe nga ana ime dhe të gjithë e kanë përqafuar, nuk diskutohet. Dhe pastaj do të shohim si do të realizohet deri në fund, patjetër duke respektuar edhe të gjitha ligjet në fuqi”,-tha Dredha.









