Zona e Teksasit vijon të jetë nën alarmin e stuhive të tjera të furishme ndërsa autoritetet vijojnë të nxjerrin trupa nga ujërat e rrëmbyeshëm nga stuhia që goditi vendin të premten e kaluar.
Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në qarkun Kerr, ku dhe ndodhej një kamp veror për vajza i vendosur në buzë të lumit Guadalupe. Deri më tani janë konfirmuar të paktën 81 viktima e ndërsa 41 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, shifra këto që po ndryshojnë me shpejtësi.
Ndërkohë zonat e prekura nga përmbytjet vijojnë të jenë në gadishmëri pasi një tjetër stuhi pritet të nisë në orët e ardhshme, e cila gjithashtu do të bëhet pengesë për ekipet e kërkim-shpëtimit të angazhuara në terren.
Në fokus kryesor për kërkimet ka qenë kampi Mustic i vajzave, i cili pësoi dëme të konsiderueshme pasi u mor përpara nga rrjedhat e fuqishme të ujit. Katastrofa ndodhi para agimit të së premtes, ndërsa niveli i lumit u rrit 8 metra në vetëm 45 minuta, ndërsa shumica e kampistëve ishin në gjumë.
Ndërkohë presidenti Donald Trump nënshkroi ditën e djeshme një deklaratë për gjendje të jashtëzakonshme për Qarkun Kerr, duke aktivizuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas. Ai tha gjithashtu se ndoshta do ta vizitonte shtetin të premten.
“Po punojmë shumë ngushtë me përfaqësues nga Teksasi dhe është një gjë e tmerrshme që ka ndodhur, absolutisht e tmerrshme“, tha Trump ditën e djeshme.

Galeria fotografike (
1/2
)










