Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në “Facebook” lidhur me zaptimin e hapësirave publike. Ajo që nisi si një “aksion” në Tiranë e Vlorë është shtrirë edhe në Theth tashmë.
Herë pas herë kryeministri Rama ka postuar mesazhe në rrjete sociale duke bërë thirrje që të hiqet dorë nga zaptimi i hapësirave publike.
“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkruan Rama.
Përtej këtij aksioni janë disa pyetje që gazetarja Klodiana Lala ja bën kryeministrit, duke e njoftuar se ndërtuesi rezulton individ me precedentë kriminalë i shpallur në kërkim nga SPAK:
Ku ishin institucionet kur ngriheshin kioskat?
Kush lejoi shtrimin e atij betoni?
Kush i lidhi dritat e ujin te ato kioska? A kanë përgjegjësi institucionet vendore?
Le t’i marrim me radhë përgjegjësit e këtij skandali, që ka shkatërruar një nga zonat ku gjithkush që shkelte gjente qetësi.










