VIJON KRIZA/ Kuvendi i Kosovës dështon sërish konstituimin – me gjithë vendimin detyrues të Kushtetueses për dhënie fund të ngërçit institucional

Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe të shtunën, me gjithë aktgjykimin e gjykatës më të lartë të vendit që i detyron ata të formojnë institucionin ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Vazhdimi i seancës konstituive – që u mbajt në vonesë në mbrëmje pas një alarmi të rrejshëm për bombë – zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të hënën, më 5 korrik.

Kjo është hera e 42-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Për dallim nga grumbullimet e kaluara, në takimin e sotëm të pranishëm ishin vetëm 74 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Ky dështim i radhës vjen pavarësisht takimeve të presidentes Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të ndihmuar në gjetjen e një rrugëdaljeje dhe paralajmërimeve të saj se do të ketë pasoja juridike nëse nuk bëhet Kuvendi deri më 26 korrik.

Gjykata Kushtetuese e nxori më 26 qershor një aktgjykim i cili i detyron deputetët që brenda 30 ditëve ta konstituojnë Kuvendin, por nuk dha hollësi se çfarë do të ishin pasojat në rast se afati nuk respektohet.

Osmani tha se do t’i drejtohet gjykatës nëse deputetët s’e formojnë institucionin ligjvënës së shpejti.