KUALIFIKIMI/ “Botërori i vështirë, por jo i pamundur”, Duka shpresëplotë: Në Serbi për të rihapur mundësinë për ‘play off’

Pas ndeshjeve të fundit ku Kombëtarja barazoi me Serbinë dhe Letoninë, misioni Botëror për kombëtaren është komplikuar në maksimum, fakt që e pranoi edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në intervistën e dhënë për “Sport News” në “News 24”, në bisedën e me Trevisa Tufën, Duka gjithsesi tha se ekipi kuqezi ka ende shpresë.

Ishit në SHBA së fundmi për Botërorin e Klubeve, po më 2026 do të shkojmë në Amerikë, a besoni më?

Nuk e kam konsideruar asnjëherë si një objektiv i lehtë. Nuk është e lehtë, por asnjëherë e pamundur. Në kushtet ku jemi, gjërat janë vështirësuar, por nuk janë mbyllur. Kemi 4 takime që duhet t’i konsiderojmë finale. Me një rezultat pozitiv në Serbi, na rihapet mundësia për një “Play Off”. Mbetet një objektiv i vështirë, jo vetëm për tani, por edhe për të ardhmen. Kemi ekip me prespektivë.

Duka u pyet edhe për miratimin e skemës “Final Four” në Shqipëri.

Pyetja e fundit, në lidhje me të ardhmen. Pse vendoset të vijoni me “FINAL4”? Pse i besoni shifrave të FIFA-s, nuk  keni në plan për të ndryshuar?

Në hapat e para të tij “Final Four” ka prodhuar mirë, ka patur interes, ka prodhuar emocion dhe të ardhura. Nëse duhet të mbetet i tillë dhe ne jemi në këtë lloj diskutimi me anëtarët në garë, me klubet e futbollit dhe me ekspertët, nëse duhet të jetë i njëjtë, duke rrëzuar pikët e 4 ekipeve të para, apo duke ruajtur pikët e mbledhura gjatë kampionatit, apo përgjysmuar, këtë do ta vendosim brenda një afati 10-ditor bashkë me ekipet pjesëmarrëse.