Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falenderuar Presidentin e SHBA, Donald Trump, i cili ka deklaruar më herët se ka ndaluar Serbinë e cila kishte një plan për të sulmuar Kosovën.
Lidhur me këtë deklaratë, Kurti shprehet se SHBA ka më shumë informacione për planet operacionale të Serbisë kundër Kosovës.
Albin Kurti theksoi se nuk ka informacione për lëvizjet e Serbisë ndërsa shtoi se i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nuk mund t’i di planet që i kanë, nuk i kam informacionet e tyre. Me siguri SHBA në përgjithësi kanë më shumë informacion se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë.
Ne jemi shumë mirënjohës për rolin e SHBA-ve, por ato informacione që i kanë ata se çfarë kanë bërë si plan konkret operacionale kundër Kosovës.
Serbia, mbase ne nuk e dimë, është e pritshme që nuk i dimë. Mbase organet tona bashkëpunojnë me ato të SHBA-ve, dhe një ditë edhe ne mund t’i kemi ato informacione, por aktualisht nuk i posedojmë ato.”-tha Kurti për mediat në Kosovë.









