Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian të enjten e ardhshme, më 10 korrik. Kjo është hera e parë që nga viti 2014 që kreu i Komisionit përballet me një veprim të tillë. Mocioni u paraqit nga eurodeputeti rumun i krahut të djathtë, Gheorghe Piperea, duke cituar mesazhe sekrete midis von der Leyen dhe drejtorit ekzekutiv të Pfizer, Albert Bourla, në lidhje me blerjen e vaksinave kundër koronavirusit nga BE-ja.
Edhe pse disa anëtarë të Partisë Popullore Evropiane të von der Leyen dhe ECR-së së krahut të djathtë tërhoqën mbështetjen e tyre për mocionin pas presionit nga partitë e tyre, mocioni siguroi 72 nënshkrimet e nevojshme për të ecur përpara. Kjo lëvizje vlerësohet më shumë si simbolike, pasi shumica e grupeve politike në Parlamentin Evropian kanë deklaruar tashmë se do ta kundërshtojnë votën e mosbesimit.
Megjithatë, situata vë në pah pakënaqësinë e shtuar ndaj Von der Leyen në Bruksel, pas një sërë vendimesh të diskutueshme dhe skandalesh që kanë tronditur besueshmërinë e saj. Shefja e komisinit do të duhet të paraqitet në një debat zyrtar ditën e hënë, më 8 korrik, tre ditë para votimit, për të dhënë llogari mbi veprimet e Komisionit Evropian. Në të njëjtën kohë, pritet që edhe krerët e grupeve parlamentare të paraqesin qëndrimet e tyre për çështjen.









