PRANGOSJA/ Identifikohet dhe arrestohet në Vlorë piromani 38-vjeçar – ndizte zjarre në mënyrë të përsëritur

Ndezi zjarr në mënyrë të përsëritur, në një grumbull mbetjesh urbane, duke ndotur ajrin dhe duke vënë në rrezik banesat përreth si dhe zonën e mbrojtur të pyllit të Sodës, arrestohet 38-vjeçari.

Në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo dhe atyre nga pakujdesia, strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin:

•E. I., 38 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë.

Ky shtetas, në dy raste të ndryshme, konkretisht në datë 30.06.2025, rreth orës 20:50, dhe sërish në datë 01.07.2025, rreth orës 12:00, ka ndezur zjarr në mënyrë të përsëritur në një grumbull mbetjesh urbane, në vendin e quajtur “Pika e grumbullimit të inerteve, Jalli, Nartë”, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe të mjedisit, si dhe duke rrezikuar me përhapjen e flakëve qendrën e banuar përreth dhe pyllin e Sodës, një zonë kjo e mbrojtur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.