Një pjesëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare, i shpallur në kërkim nga SPAK, është arrestuar në Francë, si pjesë e operacionit policor “The Wanted”. Ai akuzohet për trafikimin e 1016 kg kanabis drejt Italisë, përmes rrugës detare.
Paul Deda 50 vjeç, u lokalizua dhe u arrestua në Paris, falë shkëmbimit të informacionit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tiranës me autoritetet franceze. Ai pritet të ekstradohet në Shqipëri, ku Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas hetimeve, Paul Deda ka bashkëpunuar me shtetas shqiptarë dhe italianë për të trafikuar drogën e kultivuar në Shqipëri drejt Barit, ku sasia prej mbi 1 ton kanabis u sekuestrua nga Policia italiane. Gjatë aksionit në Itali, u arrestuan gjithashtu dy anëtarë të tjerë të grupit kriminal.
Përveç akuzës për trafik droge, ndaj Paul Dedës rëndon edhe akuza për pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.









