TEJ INFRASTRUKTURES/ Kosova nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës

Procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.

Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:

“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.