PROJEKTI/ Përfshirja e “Liqenit të Shkodrës” në UNESCO – institucionet ndërkufitare po përgatisin dosjen

Pas lumit Vjosa, është gati një projekt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për të futur në UNESCO, liqenin e Shkodrës. Të dy vendet fqinje zhvilluan takimin e parë të përbashkët mes tyre në konferencën “Pellgu Ujëmbledhës i Liqeni të Shkodrës, një rezervë biosfere ndërkufitare”.

Kjo konferencë synon përshpejtimin e punës për finalizimin e dosjes së nominimit në UNESCO të liqenit të Shkodrës, shprehet përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit Klodiana Mirakaj.

Një vit më parë në shtator ne dorëzuam dosjen nominuese për futjen e Vjosës në Unesco dhe kemi marrë njoftimin paraprak e cila është tashmë e aprovuar. Shpresoj që në këtë shtator të përfundojmë dosjen për liqenin e Shkodrës dhe ta kurorëzojmë me sukses. Rezervat e biosferës në radhë të parë kanë në qendër pjesën e komunikimit, pjesën e ruajtjes, pjesën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ndërlidhjes. Përpjekjet e përbashkëta të dy vendeve jo vetëm për të ruajtur dhe mbrojtur natyrën por janë edhe për t’i dhënë mundësi zhvillimit të qëndrueshëm në nivel vendor. Futja e kësaj reserve biosfere në Unesco do të japë një shtysë më të mirë përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, peshkimit, bujqësisë, peisazheve natyrore dhe njëkohësisht do t’i japë një mundësi zhvillimi edhe anës kulturore. Kjo përpjekje e përbashkët do të përmirësojë pjesën e menaxhimit që konsiston edhe në vendosjen standardeve të përbashkëta përsa i takon burimeve natyrore, ndotjes së ujit, ndotjes së tokës dhe me radhë. Do të shërbejë si një eksperiencë pozitive për të bashkëndarë shqetësimet dhe për të përmirësuar menaxhimin e kësaj reserve të përbashkët duke ruajtur vlerat e mëdha natyrore. Ministria e Mjedisit e ka mbështetur që në fillim këtë iniciativë për t’i dhënë mundësi popullsisë lokale që të rritet, të përforcojnë kapacitetet e tyre dhe të arrijnë sa më shumë të mira”, tha Mirakaj.

Zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka tha se ështëë në një fazë të mirë dhe në përputhje me certifikimin ekologjik.

Për mua ky projekt është i veçantë dhe është plotësisht në vizionin që ka edhe kryetari i bashkisë Shkodër për mënyrën e zhvillimit të liqenit të Shkodrës. Ne jemi në një fazë të mirë dhe është në përputhje me certifikimin ekologjik që ne kemi nisur dhe jemi ndoshta të parët që do certifikohemi si destinacion ekologjik nga një agjenci shumë e njohur holandeze. Bashkia ka marrë masa të rëndësishme sa i përket investimeve atje. Kemi nisur me përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e moleve dhe një prej pikave kryesore është për ta rikthyer liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna të lundrueshëm duke nisur nga pastrimi dhe lirimi i hapësirave deri tek koncpetimi i zhvillimit të ekonomisë”, tha Beka.

Pala malazeze pavarësisht dakordësisë së plotë për kërkesën që do i bëhet Unescos për liqenin e Shkodrës, është kritike duke kërkuar gjetjen e mënyrave më të mira për të mos shkatërruar natyrën…

“Është një mundësi e mirë që liqeni të jetë një rëzervat i mbrojtur i Unesco. Kjo është e rëndësishme duke marrë parasysh vlerat kulturore dhe mjedisore. Ky takim i sotëm përforcon bashkëpunimin drejt suksesit të këtij qëllimi të përbashkët. Ne jemi të përkushtuar dhe do të kontribuojmë drejt objektivit përfundimtar”, u shpreh ministrja malazeze e Mjedisit, Aleksandra Stijoviç.

Ajo që është e rëndësishme kur liqeni i Shkodrës të shpallet i tillë  është që të gjejmë mënyra më të mira që të zhvillojmë potencialet dhe burimet tona në mënyrë cilësore për të mos shkatërruar natyrën. Kemi patur shembuj të shumë shteteve dhe nëse organizohet në mënyrë të duhur përfitimet e kësaj hapësire do të jenë shumë të mëdha. Rezervati i biosferës është një e mirë e mbrojtur natyrore por edhe hapësira rreth saj. Në Malin e Zi do përfshihen shumë komuna dhe nuk e di se sa do përfshihen në Shqipëri. Duhet një bashkëpunim i mirë mes të gjithëve për ta zhvilluar sepse nëse nuk e kemi këtë atëherë nuk do të realizohet”, tha Aleksandër Mijoviç  nga Parku Kombëtar, Mali i Zi.

Projekti “Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës – një Rezervë Biosfere Ndërkufitare” synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi për ruajtjen dhe menaxhimin e përbashkët të Liqenit të Shkodrës përmes përgatitjes së një dosjeje nominimi për shpalljen e tij si Rezervë Biosfere Ndërkufitare nga UNESCO.

Ky projekt me një vlerë prej 453 mijë euro financohet nga BE në kuadër të Programit IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri–Mal i Zi!