Trump i pret hovin Berishës dhe i rrëzon retorikën për heqje të “non gratës” nga administrata e re amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer ankthin në radhët e politikës shqiptare. Me ambasadën amerikane në Tiranë që prej dy vitesh është pa drejtues të përhershëm, shumë politikanë shqiptarë ndihen të pasigurt, ndërsa sot erdhi një mesazh i fortë nga Uashingtoni.
Presidenti Trump ka vendosur të mbajë në fuqi urdhrin ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, i shpallur fillimisht në vitin 2001 dhe i përditësuar në vitet 2003, 2021 dhe 2025.
Në vitin 2021, gjatë presidencës së Joe Biden, Shqipëria u përfshi për herë të parë në këtë urdhër, duke u renditur në të njëjtin grup me vendet e tjera të rajonit dhe disa ish-republika sovjetike. Ky vendim erdhi pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe u konsiderua një mesazh i drejtpërdrejtë për zyrtarët e korruptuar. Dekreti i vitit 2021 parashikonte masa ndëshkimore ndaj individëve që cenojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, përmes sanksioneve dhe shpalljeve “non grata”.
Në janar 2025, pak ditë para se të largohej nga detyra, presidenti Biden ndërmori ndryshime të tjera, duke përfshirë edhe bllokimin e pasurive në SHBA për zyrtarët nga Ballkani që zotërojnë prona atje. Presidenti Trump nuk ka ndryshuar asgjë nga këto akte dhe ka vendosur të mbajë në fuqi të gjitha masat e miratuara nga administrata e mëparshme.









