Broja mes “tepricave”, Çelsi nxjerr në shitje sulmuesin shqiptar dhe 6 lojtarë të tjerë

Një “revolucion” i heshtur po përgatitet në shtëpinë e Çelsit. Sipas raportit ekskluziv të prestigjiozes amerikane “The New York Times”, klubi londinez ka vendosur t’i japë fund aventurës së disa lojtarëve që nuk konsiderohen më pjesë e projektit teknik të trajnerit të ri, Enzo Mareska. Në listën e “tepricave” për sezonin e ardhshëm figuron edhe sulmuesi shqiptar Armando Broja, së bashku me emra të njohur si Rahim Sterling, Ben Çilluell, Aksel Disasi, Renato Veiga dhe Karnei Çukuemeka.

Një sinjal i qartë që konfirmon se Çelsi është në fazë rindërtimi të thellë, ku prioriteti absolut është reduktimi i numrit të lojtarëve dhe arkëtimi i fondeve për të rregulluar financat. Aktualisht, merkatoja e Bluve të Londrës është praktikisht e bllokuar, pikërisht sepse drejtuesit e klubit kanë si synim parësor të krijojnë hapësira financiare për të mos rrezikuar shkeljen e rregullave të “Fair Play Financiar”, të vendosura nga UEFA dhe Premier Liga. Këto kufizime financiare i kanë detyruar drejtuesit të marrin vendime të ashpra, edhe ndaj lojtarëve që vetëm një apo dy vite më parë konsideroheshin investime të rëndësishme për të ardhmen.

Broja, i cili u rikthye në fushë pas dëmtimit të rëndë që pësoi në dhjetor 2022, nuk ka arritur të bindë as Poçetinon më parë, nuk duket se bën pjesë edhe në planet e Mareskës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u huazua përkohësisht te Fulhami, pastaj tek Evertoni, por nuk arriti të linte gjurmë. Çelsi kërkon të përfitojë rreth 25-30 milionë euro nga shitja e tij, me interesim nga disa klube të Premier Ligës si Ullverhempton, Everton dhe Aston Vila, ndërsa në horizont qendrojnë edhe disa pista nga Bundesliga.

Në rastin e Sterling, paga e tij e lartë e bën largimin më të komplikuar, ndërsa Çiluell dhe Disasi janë bërë “viktima” të politikës së ristrukturimit, që synon t’u japë më shumë hapësirë elementëve më të rinj si Malo Gusto dhe Levi Koluill.

Në prapaskenë, sipas “The New York Times”, qendron edhe plani i ri sportiv i Mareskës, i cili ka kërkuar një skuadër më të reduktuar, për ta menaxhuar në mënyrë më të përshtatshme për futbollin e tij të bazuar te zotërimi i topit dhe qarkullimi i shpejtë. Broja, i cili është më shumë një sulmues fizik, nuk përputhet me këtë profil.

Në këtë situatë, gjithçka do të varet nga aftësia e Çelsit për të gjeneruar të ardhura nga këto shitje. Vetëm pas kësaj faze pritet që klubi të bëhet më aktiv në merkato, me disa objektiva konkretë tashmë të skanuar nga Mareska dhe drejtuesit. Mes tyre, një tjetër qendërsulmues mund të mbërrijë, Xhoshua Zirkzi ose Viktor Osimhen, për të plotësuar boshllëkun e lënë nga Broja.

E ardhmja e shqiptarit duket larg “Stamford Bridge” dhe, sipas të gjitha gjasave, vera e këtij viti do të jetë vendimtare për ta kthyer karrierën e tij në rrugën e duhur.