TRENDI VIRAL/ “Bombardiro Crocodilo, Ballerina Cappuccina”, trendet e lojërave në rrjetet sociale dhe ndikimi i tyre tek fëmijët – flasin psikologët

Personazhet si “Bombardiro Crocodilo, Ballerina Cappuccina, Cappuccino Assassino dhe Tralalero Tralala” janë kthyer në ikona të një fenomeni të quajtur “Italian Brainrot”, një trend viral që ka pushtuar rrjetet sociale dhe imagjinatën e fëmijëve.

Vitet e fundit, rrjetet sociale janë shndërruar në burimin kryesor të argëtimit për shumë fëmijë, duke u mbushur me lojëra dhe video të shkurtra e shumëngjyrëshe që përçojnë humor të pakuptimtë dhe skena surrealiste.

Ato janë bërë pjesë e përditshme e kohës së lirë, por gjithnjë e më shpesh lind pyetja: çfarë ndikimi kanë këto përmbajtje tek zhvillimi mendor, emocional dhe social i fëmijëve?

Psikologët Yll Avdijaj dhe Adela Bajrami në një prononcim për Telegrafin kanë thënë se ekspozimi i hershëm ndaj përmbajtjeve memetike dhe surrealiste, sidomos kur janë të shpejta, pa kontekst dhe me humor absurd, mund të krijojë një formë mbistimulimi të sistemit nervor dhe t’i ngatërrojnë konceptet themelore të realitetit dhe imagjinatës.

Avdijaj tha se kjo është veçanërisht e rrezikshme për fëmijët më të vegjël, të cilët ende nuk kanë zhvilluar aftësinë për të kuptuar ironinë, absurditetin apo simbolikat kulturore.

“Truri i fëmijës në moshën e hershme është shumë receptiv ndaj modeleve dhe përmbajtjeve që konsumon, ndaj në vend që të ndihmojnë për zhvillimin e të kuptuarit, këto forma përmbajtjeje mund të ndërhyjnë në ndërtimin e koherencës narrative dhe logjikës së përditshme.

Sipas tij, video të tilla mund të ngatërrojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit tek fëmijët.

“Përmbajtjet si videot surrealiste në TikTok, duke përfshirë fenomenin si ‘Italian brainrot’, operojnë në një zonë mes imagjinatës, nostalgjisë dhe parodisë, e që mund të jenë argëtuese për të rriturit, por për fëmijët e vegjël, këto përmbajtje mund të ngatërrojnë kufirin mes fantazisë dhe realitetit. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët ndërtojnë narrativat e tyre të botës dhe kuptojnë lidhjen shkak pasojë. Imagjinata është jetike për zhvillimin e fëmijës, por kur është e përfshirë në përmbajtje të pakontrolluara ose shumë të ngarkuara, ajo mund të bëhet kaotike, në vend që të jetë kreative”.

Avdijaj po ashtu theksoi se ka dallim në ndikimin psikologjik të këtyre memeve te fëmijët në moshë parashkollore krahasuar me ata në moshë 8–12 vjeç.

“Dallimi është i madh. Fëmijët në moshë parashkollore (3–6 vjeç) janë në fazën e zhvillimit konkret të të menduarit, ata akoma nuk kanë një sistem të zhvilluar për të kuptuar ironinë, sarkazmën apo absurditetin. Për ta, memet surrealiste mund të jenë konfuzuese ose madje të frikshme në disa raste. Në krahasim, fëmijët në moshën 8–12 vjeç kanë më shumë kapacitet për të kuptuar simbolikën, por gjithsesi janë të ndjeshëm ndaj mbingarkesës vizuale dhe mund të zhvillojnë mospërqendrim apo ndjeshmëri të shtuar ndaj përmbajtjes që konsumojnë”, vlerësoi ai.

Psikologu po ashtu tha se përmbajtjet shumë të shkurtra si videot e TikTok-ut 5–15 sekondëshe, aktivizojnë sistemin e shpërblimit të menjëhershëm në tru, duke prodhuar dopaminë në mënyrë të përsëritur dhe pa përpjekje.