Irani duket se po kërkon aleatë, ndërsa prej 10 ditësh ndodhet në luftë me Izraelin, ku dy vendet po shkëmbejnë sulme me avionë e raketa, duke shkaktuar qindra viktima dhe të plagosur.
Në orët e para të së dielës, avionë amerikanë bombarduan 3 centrale bërthamore, ku dyshohej se Irani po pasuronte uraniumin për ndërtimin e armëve bërthamore. E ndërsa SHBA pretendojnë se kanë shkatërruar centralet, Irani ka paralajmëruar se do të reagojë fort.
Mediat izraelite raportojnë se prej kohësh Irani po tenton të gjejë aleatë për luftën me Izraelin. Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i kishte kërkuar shefit të Hezbollahut, Naim Qassem, të hynte në luftime dhe të lëshonte raketa drejt Izraelit pas nisjes së Operacionit “Rising Lion” javën e kaluar, thanë burime të larta të sigurisë izraelite për i24News, duke folur në kushte anonimiteti.
Qassem, organizata e të cilit, një përfaqësues shiit iranian, u shkatërrua nga Izraeli që kur iu bashkua luftës kundër shtetit hebre më 8 tetor 2023, refuzon të zbatojë kërkesën nga frika e hakmarrjeve shkatërruese izraelite kundër Hezbollahut.
Udhëheqësi Suprem, përfunduan burimet, e kupton se është në telashe dhe se ka nevojë për Hezbollahun.









