MBIKQYRJA E RADAREVE/ Rama largon amerikanët dhe ua kalon francezëve hapësirën ajrore; sa do të kushtojë GM 400 Alpha

Në 2017, Edi Rama kërkonte me insistim marrëveshjen me amerikanët e Lockheed Martin, që në 2020 instaluan radarin kundrejt 22 milionë dollarëve. Në 2025, zgjodhi francezët e Thales, ndërsa nuk dihet sa do të jetë fatura financiare…

Edi Rama ka zgjedhur francezët e Thales si partner strategjik industrial për mbikqyrjen ajrore të Shqipërisë. Duket se raportet mes tij dhe Presidentit francez Emmanuel Macron kanë vendosur që Qeveria shqiptare të nënshkruajnë marrëveshjen me Thales për sistemin GM 400 Alpha. Nuk dihet sepse është zgjedhur kjo kompani, kur të paktën 7 vite më parë ishin zgjedhur amerikanët e Lockheed Martin, që instaluan sistemin e radarëve në Shqipëri.

Në atë kohë Shqipëria pagoi 22 milionë dollarë, përafërsisht 19 mln euro, për sistemin radar me rreze të gjatë veprimi, ndërsa ofruesi i pajisjeve të mbrojtjes me seli në SHBA, Lockheed Martin.

Sistemi, i vendosur në malin verior të Midës, u bë funksional në nëntor 2020.

Si Lockheed Martin ashtu edhe Thales konsiderohen ndër kompanitë më të vlerësuara në aspektin e sigurisë, veçanërisht sa i takon radarëve që përdoren për mbikëqyrjen ajrore. Ende nuk dihet zyrtarisht se sa do të pagujë Shqipëria për sistemin e radarëve që do të merren brenda 14 muajsh tha Thales, por kostoja e një sistemi të tillë, referuar të dhënave publike, është rreth 30 milionë dollarë.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Thales është diskutuar gjatë vizitave të Presidentit Macron në Tiranë dhe marrëveshja u konkretizua në Francë, në prani të ministrit francez të Forcave të Armatosura, Sébastien Lecornu, dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.

Thales u zgjodh si partner strategjik industrial për të mbështetur një kërkesë me afat të shkurtër për të furnizuar një radar mbikëqyrjeje ajror Ground Master 400 Alpha (GM400α) të provuar në luftime.

Në Panairin Ajror të Parisit, Thales njoftoi se ka nënshkruar një kontratë për të furnizuar Shqipërinë me një radar Ground Master 400 alpha (GM400α) brenda 14 muajve, si pjesë e një programi për modernizimin e aftësive të mbikëqyrjes ajrore të vendit.

“I njohur për besueshmërinë e tij të jashtëzakonshme, performancën e pakrahasueshme dhe lëvizshmërinë e lartë, GM400α luan një rol kritik në mbikëqyrjen ajrore në mbarë botën. Është një ndryshim rrënjësor për mbikëqyrjen ajrore, me një nga rekordet më të larta të performancës në treg. Me arkitekturën e tij të plotë dixhitale, ai gjurmon kërcënimet ajrore në një rreze deri në 515 km, me zbulim superior të objektivave në lartësi të ulët, duke përfshirë edhe UAV-të që lëvizin ngadalë”, thuhet në një njoftim nga Thales.

Hoqi dorë nga amerikanët, Rama ia kalon francezëve

“Jemi krenarë që e mbështesim Shqipërinë me dorëzimin e shpejtë të Ground Master 400 Alpha, e cila është e provuar në luftime”, tha Eric Huber, zëvendëspresident i Radarëve Sipërfaqësorë në Thales.  “Me kapacitetin tonë të rritur të prodhimit dhe mbështetjen nga ekosistemi ynë partner, ne jemi në gjendje të kemi kohë të shpejtë përpunimi në lidhje me kërkesat urgjente operacionale. Ground Master 400 Alpha ofron një aftësi të besueshme, me performancë të lartë dhe lëvizshmëri të lartë për të përmbushur nevojat e mbikëqyrjes ajrore dhe sovranitetit të Shqipërisë”, tha ai.

Në periudhën 2017-2018, Rama dhe ministrat e tij u angazhuan për të lidhur marrëveshjen me amerikanët e  Lockheed Martin.

“Jemi të interesuar për praninë e investimeve të mëtejshme të industrisë ushtarake amerikane në Shqipëri. Sistemi i integruar për vëzhgimin e hapësirës ajrore me rëndësi, jo vetëm për sigurinë kombëtare të Shqipërisë por për të gjithë aleancën e NATO-s”, deklaronte Olta Xhaçka me cilësinë e ministres së Mbrojtjes, gjatë takimit në Lockheed Martin në vitin 2017.