BOTERORI I KLUBEVE/ Bajerni kundër Boka Xhuniors, kulmi i ndeshjeve të dyta të turit – një histori që kthehet 100 vjet pas

Bajerni i Mynihut kundër Boka Xhuniors është kulmi i ndeshjeve të dyta të Kupës së Botës për Klube në SHBA. Një përballje titanësh të Europës dhe të Amerikës së Jugut. Një duel që karakterizohet nga një traditë e hershme dhe që i ka rrënjët 100 vjet më parë në Mynih!

Bajerni, i cili e nisi fuqishëm Kupën e Botës për Klube me një fitore shkatërruese 10-0 ndaj kampionëve të Oqeanisë, Okland Siti mund të sigurojë kualifikimin për në 1/8 e finaleve me një fitore ndaj klubit tradicional argjentinas, Boka Xhuniors, në ndeshjen e tyre të dytë të turneut. Në këtë kontekst, tifozët, ata pak më të vjetër të Bajernit, me siguri do ta kujtojnë ndeshjen e Kupës Ndërkontinentale midis dy Klubeve në nëntor të vitit 2001 në Tokio (Japoni), të cilën fituesit e atëhershëm të Ligës së Kampionëve (Bajerni) e fituan dhe këtë trofe 1- 0 falë një goli të Sami Kufur në kohën shtesë.

Por nëse për duelin e 24 viteve më parë ka dëshmitarë okularë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përballjen e parë midis dy klubeve. Kjo ndodhi plot 100 vjet më parë në stadiumin “Oberwiesenfeld” të Mynihut. Futbolli botëror në atë kohë (në Lojërat Olimpike Verore) dominohej nga ekipet kombëtare të Amerikës së Jugut, Uruguai dhe Argjentina. Duelet ndërkontinentale të klubeve nuk kishin ekzistuar kurrë më parë.

Turneu europian i Bokës – Në vitin 1925, ekipi i Boka Xhuniorsit udhëtoi për në Evropë me anije për tri javë: me 17 lojtarë, pa trajner, por të paktën një tifoz që punonte edhe si masazhator. Pas një serie ndeshjesh në Spanjë, në të cilat ata mposhtën Realin e Madridit dhe Atletikon e Madridit, argjentinasit mbërritën në Mynih. Atje, ata u pritën nga lojtarët e Bajernit të Mynihut me një turne qyteti, siç vuri në dukje një gazetar që po udhëtonte me ta. Më 9 maj 1925, vizitorët dhe vendasit u takuan para 5,000 spektatorëve në “Teutonia-Platz” në “Oberwiesenfeld” të Mynihut, duke barazuar 1-1. Gazetari foli me entuziazëm për rendin në tribuna, si dhe për stilin e lojës së ekipit të udhëhequr nga portieri Alfred Bernshtain dhe sulmuesi Jozef Pëtinger. Po atë ditë, ai i dërgoi një telegram shtëpisë: “Nëse gjermanët do të kishin më shumë qetësi në përfundim, do të ishin një nga ekipet më të mira në Evropë”. Në ndeshjen e tyre të 14-të (nga 19) të turneut evropian, Boka Xhuniors la vetëm dy pikë.

Kohë të çuditshme futbolli – Njëqind vjet më parë, natyrisht që futbolli ishte ndryshme. Ishin kohë të tjera. Nëse do t’i referohemi perspektivës së sotme, futbolli i asokohe do të cilësohej së paku i çuditshëm. Vetëm një ditë më vonë, Bajerni luajti kundër Kikers Ofenbah në 1/8 e finaleve të Kupës së Gjermanisë së Jugut dhe madje fitoi 4-1. Sot as që mendohet të luash dy ditë radhazi!

Vendndodhja “Teutonia-Platz” – Në ato vite, Bajerni luante shumicën e ndeshjeve në shtëpi në stadiumin “FC Teutonia”, i cili ishte përuruar në vitin 1921. Kapaciteti zyrtar ishte 12,000 spektatorë, por në një ndeshje midis Mynihut dhe Berlinit më 22 maj 1921, rreth 20,000 tifozë futbolli u mblodhën në tribunat e mbipopulluara pa shpresë.

Objekti sportiv ndodhej midis kanalit “NymphenburgBiederstein (‘Canaletto’)”, “Lerchenauerstrasse” dhe “Winzererstrasse”. Vendi i mëparshëm tani është i zënë nga “Olympiaberg”, një mal me rrënoja të rikuperuara nga Lufta e Dytë Botërore. FC Teutonia u detyrua të braktiste objektin e saj në vitin 1936, sepse nazistët e përdornin gjithnjë e më shumë “Oberwiesenfeld”-in për qëllime ushtarake (siç kishte ndodhur edhe në shekullin e 19-të), konkretisht si një fushë aviacioni.