PRANGOSJA/ Do hynte në Shqipëri me dokumente false pasi ishte në kërkim – arrestohet 25-vjeçari

Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimeve të paligjshme në këtë pikë kalimi kufitar.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, është vënë në pranga shtetasi kosovar Sh. M., 25 vjeç, i cili tentoi të hynte në Shqipëri duke paraqitur dokumente identifikimi false, një pasaportë dhe një kartë identiteti me të dhëna të ndryshme nga të tijat.

Pas verifikimeve të kryera dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet në Kosovë, rezultoi se 25-vjeçari ishte në kërkim nga Gjykata e Mitrovicës për dy vepra penale, lidhur me narkotikët dhe plagosje të lehtë.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Sekuestrohen pasaporta dhe karta e identitetit të dyshuara të falsifikuara.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi.