Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka falenderuar presidentin amerikan Donald Trump për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në përpjekjet për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit.
Në një mesazh të regjistruar në video, të transmetuar mbrëmjen e sotme, Netanjahu deklaroi: “Dua të falënderoj presidentin Trump, një mik të madh të shtetit të Izraelit. E vlerësoj që qëndron në krahun tonë dhe e falënderoj për mbështetjen që SHBA po na japin në mbrojtjen e qiellit izraelit.”
SHBA-të kanë thënë se nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në sulmet e Izraelit, por janë një furnizues kryesor i raketave dhe teknologjisë për sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore të aleatit të tyre.
Raportet kanë thënë gjithashtu se asetet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë një shkatërrues të Marinës, kanë ndihmuar në rrëzimin e raketave balistike iraniane.
Ndërkohë, sipas raportimeve të kanalit izraelit Channel 12, zyrtarë të lartë izraelitë po parashikojnë se SHBA do të përfshihen aktivisht në përballjen ushtarake në rritje me Iranin.
“Do të na habiste nëse amerikanët nuk marrin pjesë në sulmet. Nuk është çështje ‘nëse’, por ‘kur’,” deklaruan dy zyrtarë izraelitë për mediat.









