Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA Kristi Noem u transportua me ambulancë të martën në një spital në Uashington, DC, pas një reaksioni alergjik, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare.
“Sekretarja Noem pati një reaksion alergjik sot. Ajo u transportua në spital me një ambiulancë. Ajo është e vetëdijshme dhe po shërohet”, tha zëdhënësja e DHS Tricia McLaughlin.
Disa agjentë të Shërbimit Sekret ishin vendosur në hyrje jashtë dhomës së urgjencës në spitalin ku ishte shtruar sekretarja, raporton CNN.
Noem, 53 vjeç, e cila më parë shërbeu si guvernatorja e Dakotës së Jugut dhe përfaqësoi shtetin në Kongres, u caktua për të shërbyer si sekretare e Sigurisë Kombëtare e Presidentit Donald Trump vetëm disa ditë pasi ai u zgjodh për një mandat të dytë, duke e pozicionuar atë si një anëtare kritike të kabinetit të tij pasi ai e bëri imigracionin një pjesë të madhe të fushatës së tij. Ajo u konfirmua për këtë rol nga Senati në fund të janarit.
Noem, e cila mbikëqyr edhe Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, ka bërë thirrje që agjencia e ndihmës ndaj fatkeqësive të shpërbëhet, duke e kritikuar vazhdimisht atë si joefektive dhe të panevojshme. Javën e kaluar, Trump tha se planifikon ta shfuqizojë gradualisht FEMA-n pas sezonit të uraganeve të këtij viti.









