Një paradë e madhe ushtarake që shfaqte fuqinë amerikane, e kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë, u zhvillua në Uashington D.C., me tanke, trupa dhe banda marshimi.
Trump dhe zonja e parë Melania Trump ecën në skenë nën melodinë e “Hail to the Chief” dhe një përshëndetje me 21 topa para fillimit të paradës. Të pranishëm ishin gjithashtu zëvendëspresidenti JD Vance, zonja e dytë Usha Vance dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Trump mbajti një fjalim ku vlerësoi Ushtrinë Amerikane si “forcën luftarake më të madhe, më të egër dhe më të guximshme që ka ecur ndonjëherë mbi faqen e kësaj toke”.
Përgatitjet kishin qenë në vazhdim gjatë gjithë javës në Uashington, me mbërritjen e tankeve dhe pajisjeve të tjera ushtarake dhe ngritjen e gardheve në disa pjesë të qytetit përreth Shtëpisë së Bardhë dhe Sheshit Kombëtar./CNA









