“LUFTE E FTOHTE” NE PS/ “E di që të ka bërë mirë!” – Sinjali dhe paralajmërim i fortë i Erion Veliajt: Më arrestuan dhe më poshtëruan, por karma e gjen gjithmonë rrugën 

Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga qelia e paraburgimit në Durrës, aty ku dhe ndodhet prej muajsh, po vijon të japë “sinjale” të forta për ata “shokë” që sipas tij e kanë tradhtuar.

Për të përcjellë këto “mesazhe të koduara” i pari i qytetit të Tiranës ka zgjedhur rrjetin social “TikTok”. Kësaj here ai ka postuar një video kur ka qenë në zyrën e tij të kryetarit, ndërkohë që e ka shoqëruar me një paralajmërim për ata që u “kënaqën” kur ai u arrestua dhe u përpoqën që ta poshtërojnë.

“Të më arrestosh dhe të përpiqesh të më poshtërosh, e di që të ka bërë të ndihesh mirë. Por karma gjithmonë e gjen rrugën për t’u kthyer, edhe nëse vonohet. Shpresoj vetëm që ata të jenë aq të fortë sa isha unë”, shkruan Veliaj duke ngritur kështu një sërë pikëpyetjesh te qytetarët se vallë për kë i ka këto “kunja” dhe paralajmërime kryetari.

Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.