SHORTI/ Gjykata e Lartë cakton gjyqtaren që do shqyrtojë rekursin e Erion Veliajt – ja kush është Albana Boksi, që ka në dorë burgun ose lirimin e Eron Veliajt

Gjykata e Lartë ka caktuar gjyqtaren që do të shqyrtojë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht është nën masën e sigurisë ‘arrest në burg’.

Mësohet se gjyqtarja e lartë Albana Boksi do të shqyrtojë rekursin e Erion Veliajt.

Në këtë rekurs janë edhe biznesmenët e përfshirë në hetime.

Në rekurs mungon emri i bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa, për të cilën gjykata zbuti masën duke e lënë në ‘detyrim paraqitje’.

Kush është Albana Boksi?

Albana Boksi është një nga gjyqtaret më me përvojë dhe të njohura në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, me një karrierë të konsoliduar në fushën e së drejtës penale. E diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Shkodër dhe me një master në të drejtën penale, Boksi ka shërbyer në gjykata të ndryshme, duke u ngjitur deri në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe më pas në Gjykatën e Lartë, ku është emëruar në vitin 2021.

Në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, të njohur si veting, Albana Boksi ka kaluar me sukses, duke u vlerësuar për integritet, pasuri të ligjshme dhe profesionalizëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka gjetur probleme serioze në lidhje me figurën e saj, duke i hapur rrugën vazhdimit të karrierës në Gjykatën e Lartë.