Kriza mes Izraelit dhe Iranit ka marrë përmasa të reja pas një deklarate të fortë nga Kina, e cila e ka cilësuar ndërhyrjen izraelite si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Iranit. Reagimi i Pekinit vjen përmes ministrit të Jashtëm Wang Yi, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian Seyed Abbas Araghchi, duke shprehur mbështetje të plotë për Teheranin.
“Kundërshtojmë me vendosmëri sulmet brutale ndaj zyrtarëve iranianë dhe viktimave civile. Mbështesim Iranin në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar dhe të drejtave të tij legjitime,” tha Wang Yi, duke e cilësuar sulmin ndaj objekteve bërthamore iraniane si “një precedent të rrezikshëm me pasoja katastrofike”.
Në një tjetër komunikim diplomatik, Wang i kërkoi ministrit të Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar që Izraeli të ndalojë menjëherë çdo veprim ushtarak që mund të përshkallëzojë konfliktin dhe të rrezikojë paqen në Lindjen e Mesme. “Duhet vepruar menjëherë për të shmangur trazirat e thella në rajon dhe kthimin e dialogut në qendër të zgjidhjes së krizës,” shtoi ai.
Ky pozicion i qartë i Kinës vjen në një moment kur tensionet midis Izraelit dhe Iranit po zmadhohen dhe vendet e mëdha po pozicionohen hapur përballë një konflikti që kërcënon stabilitetin global. Pekini i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë diplomatikisht për të frenuar përshkallëzimin dhe për të garantuar paqen në Lindjen e Mesme.









