EKSTRADIMI/ I akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash – Sillet në Shqipëri i shumëkërkuari për inceneratorët

Policia e Shtetit bën me dije se është ekstraduar në Shqipëri shtetasi Loran Dusha, 42-vjeç. 

42-vjeçari është kapur në Zimbabve dhe ishte i kërkuara nga autoritetet shqiptare. 

Dusha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Loran Dusha ka qenë administrator i inceneratorit të Fierit dhe është dënduar me 7 vite burg. 

“Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar Loran Dusha 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.

Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, njofton policia.