Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin Francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrin Britanik Keir Starmer, për të diskutuar lidhur me përshkallëzimin e konflikteve në Lindjen e Mesme.
Sipas deklaratës së kancelarisë gjermane, tre udhëheqësit diskutuan për “sulmet aktuale izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit dhe përgjigjen ushtarake të Iranit, teksa ranë dakord të mbajnë kontakt të ngushtë për këtë çështje”.
Macron: Mbështetje për Izraelin, thirrje për deeskalim
Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti mbështetjen e tij absolute për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur sigurinë e tij, disa orë pas sulmeve të gjera izraelite në territorin iranian dhe kërcënimit të Teheranit për hakmarrje.
Në një postim në platformën X, Macron theksoi se Franca e ka dënuar vazhdimisht programin bërthamor iranian dhe ka marrë të gjitha masat e duhura diplomatike kundër Teheranit.
“Franca riafirmon të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe për të siguruar sigurinë e tij”, shkroi Macron, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë “përmbajtje maksimale” për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm të rajonit.
Presidenti francez tha gjithashtu se ka folur në telefon me një numër udhëheqësish, përfshirë Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman dhe Presidentin e SHBA-ve Donald Trump.
Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë prioritet, thotë Starmer.
Një nga krerët e parë të shteteve që reagoi menjëherë ndaj sulmeve të Izraelit ishte kryeministri britanik. “Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë prioritet. Ne po punojmë me partnerët tanë për të çtensionuar situatën. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci”, tha Keir Starmer , ndër të tjera, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve të tërhiqen në mënyrë që të ulin menjëherë tensionin.
Sekretari i Jashtëm Britanik ishte gjithashtu në të njëjtën gjatësi vale. “Stabiliteti në Lindjen e Mesme është jetik për sigurinë globale (…) Përshkallëzimi i mëtejshëm përbën një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe nuk është në interesin e askujt. Ky është një moment i rrezikshëm dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje ”, tha David Lamy , i cili ka kryesuar një takim të zgjeruar me zyrtarët britanikë që nga mëngjesi i sotëm.
Sipas informacioneve, Ministria e Jashtme po monitoron zhvillimet minutë pas minute, me informacione që vijnë nga shërbimet e saj në rajon, duke vlerësuar situatën dhe duke u përgatitur për atë që duhet të bëjë në rast se tensioni përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.









