Deklaratat në distancë Shehaj – Berisha janë shënjë se kryetarit të Mundësisë me apo pa dëshirën e tij po i “pamundësohet” vijimi. Mision i posaçëm për 11 Majin dhe që mesa duket i mbaroi më 11 Maji dhe tashmë i ka ardhur momenti ngadalë dhe pa rënë shumë në sy të rikthehet nga ku doli.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte këtë të premte në një konferencë për mediat ku është pyetur ndër të tjerat edhe për një deklaratë të kryetarit të partisë “Mundësia” Agron Shehaj, i cili mbrëmjen e djeshme deklaroi në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se partitë politike opozitare duhet të dalin me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës.
Shehaj propozoi që kandidati i përbashkët nuk duhet të jetë një kandidat politik, por një teknik që respektohet nga shoqëria.
Berisha tha se e mbështet mendimin për të pasur një kandidat të përbashkët, por sipas tij ai nuk mund të jetë jopolitik.
“Për të dalë partitë opozitare me një kandidat këtë e mbështes plotësisht, por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i Bashkisë së kryeqytetit një njeri jopolitik këtë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
Sepse të paktën duhet të ketë një program ku çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit. Nuk e di ç’nënkuptohet me një kandidat jo politik, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë”,-tha Berisha.









