Inteligjenca Artificiale (IA) po shënon ritmin më të shpejtë të përvetësimit teknologjik në histori, sipas raportit më të ri të publikuar nga investitorja dhe analistja e njohur Mary Meeker, e quajtur ndryshe edhe “Mbretëresha e Internetit”.
Në raportin voluminoz prej 340 faqesh, të titulluar “Trendet – Inteligjenca Artificiale”, Meeker analizon me grafikë dhe të dhëna konkrete mënyrën se si IA po transformon jetën personale, ekonomike dhe teknologjike në një kohë rekord.
Një nga shembujt më të qartë të revolucionit të IA-së është ChatGPT. Sipas raportit, ky aplikacion arriti 800 milionë përdorues aktivë deri në prill të vitit 2025, vetëm dy vjet e gjysmë pas lançimit fillestar në tetor 2022.
Meeker e quan ChatGPT suksesin më të madh në historinë e teknologjisë moderne. Për krahasim, Facebook-ut i janë dashur 4.5 vjet për të arritur 100 milionë përdorues një shifër që ChatGPT e arriti në më pak se 2 muaj.
Ndryshe nga revolucioni i internetit, i cili nisi në SHBA dhe u përhap gradualisht, IA po përhapet globalisht dhe në mënyrë të njëkohshme. Raporti thekson se IA po adoptohet më shpejt se çdo teknologji tjetër në histori një zhvillim që po formëson mënyrën se si punojmë, mësojmë dhe marrim vendime.
Sipas raportit, kompanitë më të mëdha teknologjike si, Google, Microsoft, Meta dhe Baidu janë duke rritur në mënyrë të ndjeshme investimet në IA.
Mary Meeker konkludon se inteligjenca artificiale është në prag të një transformimi që do të prekë çdo sektor të shoqërisë, dhe pritet që shumica e familjeve ta përvetësojnë IA-në brenda tre vitesh, krahasuar me 12 vite që iu deshën për përhapjen e internetit në desktop.









