Një grua shqiptare, Daniela Idrizi, 41 vjeç, është gjetur e pajetë mbrëmjen e të martës në plazhin e Karonit në Phuket, Tajlandë. Autoritet lokale dhe mediat e huaja bëjnë të ditur se 41-vjeçarja është mbytur.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Mohamed Alsaba, 43 vjeç, kishin mbërritur në ishull dhe ishin regjistruar në një hotel mëngjesin e së martës.
Sipas raportimeve nga policia e Karonit, në orën 16:00, çifti shkoi në plazhin Karon dhe Daniela shkoi për të notuar. Pas rreth 10 minutash në ujë, ajo filloi të kishte probleme dhe u mbyt.
Rojet bregdetare e shpëtuan dhe e transportuan menjëherë në Spitalin Chalong, por ajo ishte pa ndjenja dhe përpjekjet për ta ringjallur ishin të pasuksesshme. Daniela Idrizi u shpall e vdekur në spital rreth orës 18:00 të së martës.
Bashkëshorti i saj, Mohamed Alsaba, ka treguar për policinë se çifti kishte planifikuar të qëndronin në Phuket deri të enjten.









